Mesfushori i Sao Paulo, Lukas Moura, ka konfirmuar interesimin e Inter ndaj tij, pasi ka treguara se kishin filluar bisedimet mes përfaqësuesve të tij, skuadrës dhe presidenti të zikaltërve, Masimo Morati.
“Babai im dhe menaxheri kanë folur me presidentin e Interit por për momentin po më lënë të qetë të përqendrohem te ndeshja”, tha lojtari pas takimit që skuadra e tij fitoi 3-1 ndaj Koritiba. “Realisht nuk e di akoma se për çfarë gjërash kanë folur me njëri-tjetrin. Interi është një skuadër e madhe, tek e cila do të dëshironin të luanin të gjithë. Por për momentin kam vendosur që të përqendrohem te kombëtarja dhe Olimpiada”.
Pritet që Interi të bëjë një ofertë zyrtare për lojtarin 19 vjeçar këtë javë, me një shifër prej 23 milionë eurosh. Por kjo shumë nuk do të bindë drejtuesit e Sao Paulos, të cilët në janar refuzuan një ofertë prej 40 milionë eurosh për futbollistin në fjalë nga Çelsi, duke deklaruar se vetëm një ofertë e çmendur do t’i bënte të heqin dorë lehtësisht nga ai.
“Kur hyj në internet shoh emra klubesh si Inter,Real Madrid apo shumë të tjerë, që janë gati të vijnë të më blejnë me një makinë me para. Kuptohet që e mendoj shpesh një gjë të tillë por nuk e lë të ndikojë te unë. Detyra ime është të luaj futboll, në mënyrë që këto klube të vazhdojnë të interesohen për mua”, tha Lukas. (LajmeShqip.com)
Monday, 09 July 2012 15:01