Luka Modriç duket se po mendon seriozisht kthimin në Angli, pas dështimit në kampionatin spanjoll ku nuk po arrin të përshtatet me Real Madrid. Ish-lojtari kroat i Totenhem është cilësuar si blerja më e dështuar e sezonit në Spanjë, pasi nuk po tregohet në lartësinë e duhur, edhe pse madrilenët shpenzuar 33 milion paund për ta marrë atë.
Sipas asaj që raportojnë mediat angleze, të gjitha klubet më të mëdha në Angli janë gati të presin krahëhapur futbollistin, nëse ky i fundit vendos që gjatë verës të ndryshojë ambient. Mançester Siti, Çelsi dhe Mançester Junajtid mendohet se po monitorojnë me vëmendje situatën e 27 vjeçarit i cili bëri një fillim të mirë të karrierës së tij te Real Madrid, por pastaj u ngul në stolin e rezervave pasi nuk arriti asnjëherë të konkurronte me lojtarë si Ksabi Alonso, Khedira e Ozil që vazhdojnë të jenë të paprekshëm në repartin e mesfushës për skuadrën e Murinjos.
“Ky është Real Madrid, e di presionin e jashtëzakonshëm të mediave mbi transferimet e reja”, tha Modriç në një intervistë për Sportske.net, pasi mori vesh se në sondazhin e organizuar nga gazeta “Marca”, ai ishte shpallur blerja më e dështuar e sezonit me mbi 30% të votave.
“Nuk po kërkoj alibi, nuk jam një tip i tillë. Por është shumë e vështirë të përshtatesh shpejt me një klub të madh si Real Madrid. Zhvillova disa paraqitje të mira, dështova në disa të tjera, por në përgjithësi kam treguar se mund të ofroj diçka për këtë skuadër”, insistoi lojtari në këtë prononcim të tijin. (LajmeShqip.com)
Sunday, 06 January 2013 14:42