Mbrojtësi brazilian i Çelsit, David Luiz, duket se po mendon seriozisht transferimin e tij në radhët e Paris Sent Zhërmen gjatë merkatos së verës. Futbollisti ka pranuar se do të dëshironte shumë që t’i bashkohej kolonisë së bashkëkombësve të tij, të krijuar në radhët e skuadrës së kryeqytetit francez.
Që në momentin kur u mësua se Zhoze Murinjo do të merrte drejtimin e Çelsit, braziliani ka lëshuar vazhdimisht sinjale të qarta se po merr në konsideratë idenë e largimit.
“Unë po flas shumë për PSZH dhe projektin që ka ky klub me lojtarët e tjerë brazilianë. Klubi bëri një punë të shkëlqyer në kampionatin francez dhe ata kanë futbollistë shumë të mirë si Lukas Moura, Tiago Mota, Maksuell e Tiago Silva. Por e përsëris që këto biseda nuk i kam bërë me askënd tjetër përveç futbollistëve brazilianë”, tha lojtari.
Mediat angleze kanë raportuar shpesh se Zhoze Murinjo ka dhënë pëlqimin e tij për largimin e brazilianit, të cilin po mendon ta zëvendësojë në qendër të mbrojtjes me Mangala , një futbollist që kushton shumë më lirë se David Luiz. (LajmeShqip.com)
Monday, 17 June 2013 14:53