Ish-futbollisti i njohur spanjoll, Luis Suarez, i vetmi që ka arritur të marrë “Topin e Artë” nga ky vend, mendon se një dyshe Beil-Ronaldo te Real Madrid do të ishte e pandalshme dhe ka nxitur madrilenët të bëjnë maksimumin për të marrë futbollistin uellsian të Totenhemit.
“Beil është një lojtar i mirë, shumë i mirë. Me Beil dhe Kristiano, Reali do të bëjë një hap të madh përpara. Të dy bashkë mund të bëjnë masakër. Do të jetë e pamundur t’i kapësh kur të fillojnë të vrapojnë! Nuk kam dyshime se pas Mesit dhe Ronaldos, ai është lojtari më interesant për të gjitha mundësitë që të ofron loja dhe shpejtësia e tij. Dhe është vetëm 23 vjeç”, u shpreh spanjolli.
“Beil mund të luajë ku të duash ta vendosësh. Më ra në sy disa vite më parë, në Ligën e Kampioneve kur luajti ndaj Interit. Zikaltërit fituan 4-3, por ai na shënoi të tre golat duke kaluar pa probleme Maikon që atëherë cilësohej si një nga mbrojtësit më të shpejtë në botë. Ai ka filluar të luajë si mbrojtës i majtë, ndërsa tani luan si sulmues i dytë. Mund të luajë në të djathtë, në të majtë apo në qendër. Por mendoj se si sulmues i dytë është pozicioni i tij ideal, pasi ka lirshmëri për të vepruar. Edhe në gjuajtje e goditje dënimi i ngjan shumë Ronaldos, gjuan topin duke bërë gjëra të rralla, pasi i jep efekt të çuditshëm”, shpjegoi Suarez i cili vazhdon të jetë një këshilltar i presidenti të Interit, Masimo Morati.
“Kam folur me Moratin dhe ai është një lojtar që i pëlqen shumë. Por vlen shumë, 60 apo 65 milion euro. Merkato e futbollistëve është çmendur! Si mund të paguhen 45 milion euro për Modriç! Por unë do të preferoja më parë të paguaja 60 milion euro për Beil se 40 milion euro për Neimar. Çmimi i brazilianit ka fluturuar shumë lart, ai është i mirë, por nuk ka krahasim me Beil. Uellsiani nuk vallëzon me topin, por e gjuan sa për ta shpuar atë”, deklaroi Suarez. (LajmeShqip.com)
Friday, 19 April 2013 13:50