Luis Enrike ka vendosur të largohet nga Roma. Trajneri spanjoll ka marrë vendimin e tij përfundimtar dhe të dielën apo të hënën do ta bëjë atë publik. Sipas mediave italiane, ai ka lajmëruar edhe klubin që është vënë menjëherë në lëvizje për të gjetur një zëvendësues cilësor.
42 vjeçari Luis Enrike ka folur gjatë ditëve të fundit shumë herë me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, Franko Baldini dhe Valter Sabatini, duke u treguar se ishte lodhur në këtë sezon në kryeqytetin italian, sidomos nga kontestimi i tifozëve kundër tij.
Duket se pas 15 vitesh radhazi, Roma do të mbetet pamarre pjesë në Kupat e Evropës dhe kjo ka një kosto shumë të lartë ekonomike për klubin, rreth 20 milionë euro. Ndaj ky largim është pritur “mirë” edhe nga drejtuesit e skuadrës, ndonëse lojtarë kryesorë si Toti e De Rosi kanë shtyrë për rinovimin e besimit ndaj teknikut spanjoll.
Dy konkurrentët kryesorë për të zëvendësuar Luis Enriken dihen prej kohësh. I pari në listë dhe më i favorizuari edhe prej të kaluarës së tij është Vinçenco Montela. Ai u largua nga ky klub vetëm një vit më parë por bëri të pendohej të gjithë drejtuesit dhe tifozët e Romës duke treguar aftësitë e tij në drejtimin e Katanias, të cilën e ktheu në një skuadër të frikshme pa patur kampionë në përbërje. Problemi i vetëm mbetet kontrata ekzistuese me klubin siçilian, ndërsa drejtuesit e kësaj skuadre nuk do ta lënë atë të largohet lehtësisht.
Hipoteza e dytë, por tashmë më pak e mundshme, është ajo e portugezit Andre Vijas Boas, i cili ka shprehur interesimin e tij për të drejtuar këtë skuadër. Por janë tifozët ata që kanë kërkuar një trajner italian, një person i cili di mirë se si përjetohet futbolli në këtë qytet. Ndaj të gjithë rrugët çojnë në mënyrë të pashmangshme drejt emrit të Vinçenco Montelës. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 09 May 2012 11:40