Kapiteni i Uruguait, Diego Lugano, ka akuzuar yllin e Brazilit, Neimar, se është një simulues dhe për këtë arsye, gjyqtarët duhet të marrin vendime më të ashpra ndaj gjesteve të tij. Akuza e Lugano erdhi pikërisht para ndeshjes mes dy skuadrave në gjysmëfinalet e Kupës së Konfederatave, ndërsa po komentonte mënyrën se si ylli brazilian fitoi goditjen e dënimit ndaj Italisë, të cilën më pas e transformoi saktësisht.
“Neimar mund të shtiret për një faull dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm në mënyrë që askush të mos mashtrohet nga kjo aftësi që ka”, tha Lugano para gazetarëve. “Neimar është shumë i lehtë si peshë, mund të bjerë në tokë dhe të mashtrojë gjyqtarët apo rivalët e tij”.
“Brazili është një skuadër që ka braktisur futbollin e bukur, ata të godasin rëndë dhe janë shumë të fortë fizikisht. Unë kam luajtur këtu dhe ky është ndoshta futbolli më i ashpër në Amerikën Latine, ndërsa ata aplikojnë një sistem taktik mjaft të qëndrueshëm”, shpjegoi Lugano para ndeshjes që është një prej klasikeve më të ndjeshme në Amerikën e Jugut.
Kuptohet që ndeshja më e famshme mes palëve është ajo e vitin 1950 në “Marakana” ku Uruguai fitoi 2-1 duke i rrëmbyer Brazilit Kupën e Botës. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 26 June 2013 09:30