Roberto Di Mateo po lufton për të mbrojtur vendin e tij të punës vetëm 6 muaj pasi fitoi Ligën e Kampioneve me skuadrën e Çelsit. Skuadra londineze ka fituar vetëm 3 nga 7 ndeshjet e fundit ndërsa rrezikon të eliminohet nga turneu evropian nëse mundet nga Juventusi në sfidën e të martës.
Pas një fillimi shumë të mirë të sezonit, Çelsi ka filluar të humbasë terren, duke bërë që pronari Roman Abramoviç të humbasë durimin me ekipin. Por ai nuk është i vetmi, pasi edhe vete pjesëtarë të skuadrës kanë filluar të shprehin pakënaqësi.
Pas humbjes me Uest Bromuiç me rezultatin 2-1 në fundjavë, në dhomat e zhveshjes ka shpërthyer një debat i ashpër mes lojtarëve, ku është dëgjuar mbi të gjithë zëri i portierit Petr Çeh, i cili ka vënë në dyshim aftësitë jo vetëm të shokëve të tij, por edhe të vetë trajnerit italian.
Mes sharjeve të rënda të dëgjuara nga të gjitha ata që kalonin para dhomës së zhveshjes së Çelsit, u dëgjuan edhe fjalët “Plehra, të gjithë e dini”, apo edhe “Ju e quani veten fitues të Ligës së Kampioneve?”, ndërsa mes lojtarëve shpërtheu një debat i ndezur ku u përmend shumë shpesh edhe emri i trajnerit.
Ky i fundit, pak minuta më vonë u shfaq shumë i qetë para mediave, por tani është e qartë se ai rrezikon që brenda javës të kthehet nga një hero, në një të papunë. Nëse të martën ai luan shanset evropiane përballë ish-skuadrës së tij, Juventusit, në fundjavë luhet një pjesë e mirë e shanseve për kampionatin anglez, pasi vihet përballë Mançester Sitit. Një humbej e dyfishtë mund të sjellë edhe largimin e tij, ndonëse italiani cilësohet prej tifozëve të skuadrës që tani si një legjende e klubit, të cilit i dha Ligën e Kampioneve në edicionin e kaluar. (LajmeShqip.com)
Monday, 19 November 2012 11:28