Portieri i kombëtares franceze, Hugo Loris, ka planifikuar që para fundjavës të bisedojë kokë më kokë me trajnerin Andre Vijas Boas rreth të ardhmes së tij në radhët e Totenhemit. Kjo gjë u mor vesh pikërisht në ditën kur u mësua se kapiteni francez kishte patur mundësinë të transferohej te Arsenali gjatë verës, por në fund kishte zgjedhur ekipin tjetër londinez.
Portieri me sa duket ka filluar të shqetësohet seriozisht por faktin se nuk arrin të bëhet një titullar te skuadra e Totenhem, të cilës iu bashkua këtë vit nga radhët e Lionit. Për këtë arsye do të ulet në tavolinën e bisedimeve me trajnerin portugez, i cili ka vendosur që për momentin, titullar vazhdon të jetë veterani Bred Fridëll.
Vijas Boas ka bërë gjithashtu të qartë se Loris është portieri i të ardhmes dhe nuk dëshiron kurrsesi që ai të largohet nga ekipi i tij, por do të mundohet që të mbajë sa më të kënaqur të dy portierët që ka në dispozicion, duke përzgjedhur atë që i duket më në formë për momentin.
Loris pritet të jetë në stolin e rezervave këtë javë përballë Arsenalit, skuadër te e cila mund të kishte qenë titullar nëse do të kishte pranuar ofertën që i bëri Arsen Venger gjatë verës. Refuzimi i lojtarit, por edhe çmimi i tij i lartë prej 16 milion paund, bëri që Arsenali të hiqte dorë nga blerja e tij. (LajmeShqip.com)
Thursday, 15 November 2012 17:35