Lorik Cana nuk do të largohet nga Lazio. Kapiteni i Kombëtares shqiptare ka vendosur të respektojë deri në fund marrëveshjen me klubin e Serisë A italiane, edhe pse pak ditë më parë divorci dukej përfundimtar.
Me transferimin në Arabi që nuk u realizua dhe venitjen e pistave në Bundesligën gjermane, mbrojtësi kuqezi do të qendrojë me ekipin e kryeqytetit italian.32-vjeçari ka diskutuar për këtë pjesë edhe me drejtuesit e klubit. Pas bisedimeve u vendos që Cana të ribashkohet në stërvitjet e skuadrës, sapo Lazio të kthehet nga Kina, ku zhvilloi finalen e Superkupës së Italisë dhe u dorëzua përballë Juventusit.
Vendimi i Lorik Canës që të mbetet te Lazio duket se ka ardhur për dy arsye të rëndësishme. Së pari mbrojtësi do të ketë mundësi që gjatë edicionit të ardhshëm të sigurojë minuta në fushë, pasi ekipi luan në tre kompeticione, ku më i rëndësishmi pritet të jetë Champions League.
Gjithashtu lojtari ka nevojë për një skuadër cilësore ku të stërvitet, edhe në kuadër të ndeshjeve vendimtare me ekipin përfaqësues, kundër Danimarkës dhe Portugalisë.
Sunday, 09 August 2015 09:05