Fernando Lorente ka bërë të qartë se nuk do ta refuzonte një transferim të mundshëm te Mançester Siti apo Totenhem, dy klubet që e ndjekin me vëmendje në Angli. Ndonëse përflitet prej kohësh që për momentin është Juventusi klubi më pranë lojtarit spanjoll, ai vetë ka bërë të qartë se nuk ka zgjedhur ende destinacionin e radhës.
“Po i afrohem datës në të cilën mund të mendoj realisht për të firmosur me një klub tjetër. Jam i lumtur që me këtë çështje do të merren vëllai dhe menaxheri im, në mënyrë që unë të vazhdoj të përqendrohem te loja me Atletik Bilbaon për periudhën e mbetur”.
“Por mua më pëlqen shumë Anglia dhe kampionati anglez dhe e kam bërë të qartë më shumë se një herë se do të ishte një eksperiencë që do të më tërhiqte”.
“Nuk i dihet asnjëherë se çfarë mund të ndodhë. Ky mund të jetë një variant i mirë për mua por do të pres të shoh se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, tha futbollistit spanjoll i cili për shkak të problemeve me klubin e tij aktual, ka humbur edhe vendin në përfaqësuesen e Spanjës.
Atletik Bilbao ka bërë të qartë se do të mbajë futbollistin deri në fund të këtij sezoni, ndaj nuk parashikohet që transferimi i Lorente të zhvillohet gjatë merkatos së janarit, por vetëm pasi ai të shpallet lojtar i lirë. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 12 December 2012 14:58