Frenk Lampard ka qenë lojtari i parë që ka kërkuar publikisht nga Roman Abramoviç që të ndryshojë statusin e Roberto Di Mateos nga trajner “i përkohshëm” në “i përhershëm”. Tekniku italian mori drejtimin e skuadrës pas largimit të Andre Vijas Boas dhe duket se zgjedhjet e tij kanë qenë më të mira se të portugezit pasi sezoni i londinezëve ka ndryshuar plotësisht.
Klubi rrezikonte që të mbyllte një sezon zhgënjyes pa trofe, ndërsa tani është në finalen e Ligës së Kampioneve dhe të Kupës FA. Në 15 ndeshje që ka drejtuar ekipin Di Mateo, Çelsi ka pësuar vetëm një humbje, atë kundër Mançester Sitit, ndërsa ka fituar një derbi kundër Totenhemit me rezultatin 5-1.
“Ai e meriton plotësisht të konfirmohet. Nuk është rastësi ecuria jonë që në momentin kur ai mori drejtimin e skuadrës”, tha Lampard. “Ai ka krijuar atmosferën në grup, shpirt gare dhe vendosmëri. Lojtarët ishin këtu, por ai ka bërë punë të shkëlqyer duke ditur t’i mbledhë dhe t’i udhëheqë, ashtu si ndaj Barcelonës dhe në ndeshje të tjera të mëparshme”.
I të njëjtit mendim është edhe Obi Mikel, që ka dalë hapur në mbështetje të italianit. “Ai po bën një punë të shkëlqyer dhe ne duhet ta mbështetim. Mënyra se si menaxhon lojtarët është e shkëlqyer. Jam i bindur se klubi do të marrë vendimin e duhur me të”, tha mesfushori për trajnerin i cili kishte zhgënjyer në drejtimin e Uest Bromuiç dhe cilësohej me fat që kishte përfunduar në stafin e ndihmësve të Andre Vijas Boas. (LajmeShqip.com)
Thursday, 26 April 2012 17:10