Futbollistët e Barcelonës nuk e kanë lëshuar shansin para finales së Ligës së Kampionëve me Manchester United, që t’i përmendin rivalët e tyre Real Madrid dhe Cristiano Ronaldon.
Shumica e lojtarëve mendojnë se Barcelona do ta ketë më të vështirë se sa në vitin 2009, ku si shkak kryesor e përmendin Cristiano Ronaldon.
“Nuk e di a është për shkak të Ronaldos apo jo, mirëpo Manchester tani në fushë duket si një njëshe e vërtetë”, ka thënë Xavi.
“Largimi i Cristiano Ronaldos, i ka liruar ata”, ka thënë sulmuesi David Villa.
Dani Alves konsideron se Ronaldo e ka ngulfatur kreativitetin e ekipit.
“Ky ekip i Manchester Unitedit është më shumë i paparashikueshëm se sa kur ka luajtur Ronaldo. Tani e kanë riformuar ekipin, që është më i balancuar dhe më i fortë se para dy viteve”, ka thënë Alves.
“Kanë ndryshuar si ekip. Dominojnë në Angli dhe tani dëshirojnë edhe Ligën e Kampionëve. Cristiano Ronaldo është larguar dhe nuk ka pasur ndryshime të mëdha”, ka thënë Iniesta.
Katalunasit e kanë shfrytëzuar një ditë më shumë në Angli dhe deri në finalen e madhe të Wembleyt, do të përgatiten në stadiumin e “topçinjve”.
Barcelona do të përgatitet për finalen e Ligës së kampionëve në vendin ku lojtarët e Arsenalit çdo ditë stërviten.
Kampionët spanjollë kanë arritur një ditë më herët në Spanjë për shkak të pluhurit vullkanik nga Islanda, i cili ka penguar të gjitha fluturimet nëpër Evropë.
“Stërvitjet që janë zhvendosur për në fund të javës do të mbahen në trening-qendrën e Arsenalit dhe fillojnë ditën e enjte”, thuhet në një njoftim të klubit.
Barcelona është dashur t’i mbajë stërvitjet ditën e martë dhe të mërkurë, para udhëtimit në Londër, mirëpo gjithçka është çrregulluar me fluturimet.
Para fluturimit për Londër, dyshohej se lojtarët do të udhëtojnë drejt Londrës me autobus.
Wednesday, 25 May 2011 15:29