Hondurasi ka dhuruar surprizën më të madhe të turneut të futbollit në Lojërat Olimpike duke eliminuar Spanjën. Iberikët ishin mundur 1-0 në ndeshjen e parë nga Japonia dhe një rezultat identik përballë skuadrës së Honduras i nxori ata matematikisht jashtë turneut.
Gjithçka është vendosur në minutat e para të takimit kur Xherri Bengston shënoi me kokë golin e vetëm të ndeshjes për t’i dhënë suksesin skuadrës së tij. Pavarësisht tentativave të futbollistëve spanjollë për të përmbysur gjithçka, skuadra e Amerikës Qendrore arriti t’i rezistonte sulmeve të njëpasnjëshme deri në fundin e ndeshjes.
Nëse një favorite për medaljen e artë largohet shumë shpejt, një tjetër ecën pa ndalesa drejt një suksesi që për momentin duket i padiskutueshëm. Brazili ka përmbysur disavantazhin e minutave të para përballë Bjellorusisë duke fituar takimin me rezultatin 3-1. Kanë qenë Pato, Neimar dhe Oskar që kanë shpërbërë mbrojtjen bjelloruse duke siguruar kalimin në turin tjetër të seleçaos, që mbetet kandidatja më e fortë për të fituar medaljen e artë.
Edhe Britania e Madhe ka arritur të bëjë një hap të rëndësishëm para duke mundur 3-1 Emiratet e Bashkuara Arabe falë golave të Gigs, Sinkler dhe Starrixh. (LajmeShqip.com)
REZULTATET
GRUPI A
Senegal-Uruguai 2-0
Britani e Madhe-EBA 3-1
GRUPI B
Meksikë-Gabon 2-0
Kore J.-Zvicër 2-1
GRUPI C
Egjipt-Zelandë e Re 1-1
Brazil-Bjellorusi 3-1
GRUPI D
Japoni-Marok 1-0
Spanjë-Honduras 0-1
Monday, 30 July 2012 08:01