Protagonistja kryesore e ditëve të para në Lojërat Olimpike Londër 2012 është Mbretëresha Elizabetë, e cila ka mahnitur britanikët me pjesëmarrjen në ceremoninë e hapjes ku ka luajtur një pjesë të vogël si bashkëpunëtore e Xhejms Bond.
Ndonëse Mbretëresha tha vetëm 4 fjalë në këtë filmim të shkurtër, kjo u pa si sinjali i afrimit të mëtejshëm me popullin, duke e kthyer në një personazh edhe më të dashur, siç është parë në paraqitjet e mëtejshme publike ku ajo ka shkuar për të parë nga afër garat e notit.
“Mbretëresha ishte e lumtur që iu kërkua dhe mundi të merrte pjesë në një gjë kaq të veçantë. Këto janë Lojërat Olimpike tonat dhe për këtë arsye ajo ishte mëse e kënaqur që të bëhej pjesë e tyre”, tha një zëdhënës i Pallatit Bakingam.
Kryetari i Bashkisë së Londrës, Boris Xhonson, shoqëroi monarken 86 vjeçare në një xhiro të Parkut Olimpik në Londër gjatë të gjithë të shtunës, ndërsa zbuloi se Mbretëresha kërkonte të dinte nëse njerëzit ishin kënaqur me këtë rol kaq të veçantë në ceremoni.
“Mendoj se asaj i pëlqeu shumë përfshirja në projekt. Ndoshta nuk do të jenë të shumtë filmat e saj të ardhshëm dhe nuk e di nëse do të ketë një kandidaturë për çmimin Oskar”, tha ai me humor.
Sipas mediave britanike, ka qenë regjisori i ceremonisë,. Deni Boil që ka kërkuar me ngulm praninë e Mbretëreshës në këtë episod simpatik, por gjithçka është arritur falë kryetarit të Komitetit Organizator, Sebastian Koe, i cili ka shkuar vazhdimisht në Pallatin Bakingam në vitin 2011 për të folur me Mbretëreshën rreth këtij roli. E vetmja kërkesë e Mbretëreshës së Anglisë ka qenë që në këtë film të përfshiheshin edhe dy qentë e saj. (LajmeShqip.com)
Sunday, 29 July 2012 15:45