Majlinda Kelmendi i ka dhënë lamtumirën Lojërave Olimpike 2012 pa arritur të lërë shenjë, përveç faktit që u kthye në personazhin më mediatik shqiptar për shkak të kërkesës së saj fillimisht për të përfaqësuar Kosovën, e më pas për të garuar me flamurin olimpik e jo me atë kuqezi.
Ndoshta vëmendja e madhe para kamerave televizive ka zënë kohën e përgatitjes për aktivitet, duke ndikuar në paraqitjen e atletes nga Kosova, e cila shkonte në Londër me shpesën për të qenë protagoniste dhe për të marrë një medalje, por nuk ia ka arritur të bëjë një gjë të tillë duke u eliminua që në 1/16 e finaleve.
Në sfidën e 1/32 të finaleve, Kelmendi ka mundur me lehtësi finlandezen Jana Sundberg, duke lënë të shpresohej se do të ecte para në turne. Për më tepër, sfida e radhës përballë 20 vjeçares nga Ishujt Mauricius, Kristian Legentil, në 1/16 shihej si mëse e kalueshme nga xhudoka shqiptare.
Kelmendi ka kaluar e para në avantazh dhe i mjaftonte të mbrohej për të marrë suksesin, por ajo ka kërkuar me ngulm një fitore të thellë e ka rënë në kurthin e kundërshtares që ka fituar këtë sfidë në mënyrë të papritur duke eliminuar sportisten shqiptare që arriti një rezultat shumë larg pritshmërisë.
Ky do të jetë aktiviteti i fundit ndërkombëtar ku Kelmendi përfaqëson shtetin shqiptar, pasi tani e tutje ajo do të përfaqësojë Kosovën, sepse Federata e Xhudos në këtë vend është anëtarësuar në Federatën Botërore të Xhudos. (LajmeShqip.com)
Sunday, 29 July 2012 13:54