Klubi i Liverpulit i ka mbyllur derën një transferimi të mundshëm të Luis Suarez gjatë merkatos së verës, duke i bërë të qartë edhe vetë lojtarit se nuk do të lejohej të largohej. Drejtuesit e klubit janë irrituar sidomos me futbollistin për intervistën e dhënë në një televizion uruguaian, ku ai bëri të qartë se dëshironte të largohej nga Anglia.
Për më tepër, ai pretendon se këtë mesazh ia ka thënë edhe trajnerit Brendan Roxhers, duke detyruar klubin të dalë me një deklaratë rreth futbollistit që ka shkaktuar më shumë polemika me sjelljet e tij në vitet e fundit në Angli.
“Luis Suarez nuk është në shtije. As Luis dhe as përfaqësuesit e tij nuk ia kanë komunikuar këtë ndjenjë drejtpërdrejtë klubit. Ne presim që ai të respektojë kontratën e lidhur me ne”, shkruhet në deklaratën e publikuar nga Liverpuli.
Suarez ka edhe 3 vite të mbetura në kontratën e tij me klubin anglez, por kur nënshkroi rinovimin, vendosi një klauzolë largimi prej 40 milion paund. Kjo shifër mund të paguhet lehtësisht nga Real Madrid, skuadër që mendohet se interesohet për futbollistin, ashtu si edhe Juventus që dëshiron prej kohësh ta marrë në Serinë A. (LajmeShqip.com)
Saturday, 01 June 2013 09:15