Keni Dalglish ka paguar çmimin për sezonin e dështuar të Liverpulit pasi pronarët amerikanë të ekipit i komunikuan atij shkarkimin nga detyra e trajnerit. Ai arriti të drejtonte skuadrën drejt triumfit në Kupën Karling, por humbi finalen përballë Çelsit në Kupën FA dhe kjo është një nga arsyet pse ai është larguar nga detyra.
Vendimi i drejtuesve Xhon Henri dhe Tom Uerner qarkullonte prej dy ditësh në ambientet e klubit, pasi pronarët amerikanë e kishin takuar personalisht trajnerin duke ia komunikua vendimin, por gjithçka është shtyrë për sot pasi janë mbyllur edhe detajet e asaj që do të përfitojë legjenda e Liverpulit nga largimi para kohe nga stoli i skuadrës.
Trajneri i Njukasëllit, Alan Pardju dhe ai i Uigan, Roberto Martinez, janë dy nga kandidatët më të kuotuar për të marrë drejtimin e skuadrës, ndërsa në garë mendohet se është edhe portugezi Andre Vijas-Boas.
“Ka qenë një nder dhe një privilegj që të më jepej shansi të kthehesha përsëri te Liverpuli si trajner. E vlerësoj jashtëzakonisht punën që klubi, stafi dhe lojtarët kanë bërë gjatë kësaj periudhe, duke i sjellë tifozëve trofeun e parë pas 6 viteve, Kupën Karling, ndërsa u mundëm në finalen e Kupës FA”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Dalglish.
Liverpuli e përfundoi kampionatin me disa rekorde negative, duke filluar nga vendi i 8-të që ishte më i ulëti i 18 viteve të fundit, për të vazhduar me numrin më të vogël të pikëve të marra në kampionat (52) që nga sezoni i largët 1953-1954. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 16 May 2012 17:46