Ekipi i Liverpulit ka dalë në mbrojtje të futbollistit Luis Suarez që u dënua me 8 javë pezullim për shkak të fyerjeve raciste ndaj Patris Evra në ndeshjen kundër Mançester Junajtid. Para ndeshjes së djeshme me Uiganin, të gjithë lojtarët e Liverpulit dhe trajneri Daglish veshën nga një bluzë me imazhin e Suarez dhe numrin e tij të fanellës. “Për të gjithë ata që dyshonin te mbështetja e klubit ndaj Luis, besoj se veshja e fanellave ishte një përgjigje mëse e qartë”, deklaroi Daglish pas përfundimit të ndeshjes.
Ndërkohë, vetë klubi shpërndau një deklaratë për shtyp të futbollistëve të cilët insistonin se uruguaiani nuk ishte racist.
“Luis është shoku ynë i skuadrës dhe një mik, ndaj si një grup lojtarësh ndjehemi të shokuar dhe të zemëruar që ai është shpallur fajtor nga Federata Angleze. Ne e mbështetim Luis plotësisht dhe duam që e gjithë bota ta dijë një gjë të tillë. Ne e dimë që ai nuk është racist. Kemi jetuar, jemi stërvitur dhe kemi luajtur me Luis për rreth 12 muaj dhe ne nuk e njohim mënyrën se si është ‘portretizuar’ ai. Luis nuk do të ecë i vetëm”, shkruhej në deklaratën e futbollistëve të Liverpulit.
Pas dënimit të dhënë ditën e martë, Suarez ka në dispozicion 14 ditë për të bërë apelimin para se dënimi i tij të hyjë në fuqi.
Thursday, 22 December 2011 14:11