Liverpuli i ka dhënë një leksion futbolli Çelsit duke e mundur 4-1 në “Anfild”, për t’u hakmarrë për disfatën në finalen e Kupës FA të vetëm 4 ditëve më parë.
Skuadra e drejtuar nga Keni Dalglish, duke përfituar edhe nga mungesat e shumta në formacionin e londinezëve, ka qenë e papërmbajtshme në pjesën e parë të ndeshjes, duke shënuar tre herë në portën kundërshtare brenda një periudhe prej 9 minutash.
Fillimisht ishte Suarez që detyroi Esien të dërgonte topin në portën e tij, më pas Terri rrëshqiti dhe i dha mundësinë Henderson të shënonte golin e dytë. Goli i tretë erdhi kur Ager devijoi në portë një goditje nga këndi, pa kaluar ende 30 minutat e para të ndeshjes.
Çelsi arriti të reagonte me anë të Ramires në minutën e 50-të duke ngjallur disi shpresën për një përmbysje, e ndihmuar edhe nga penalltia që Dauning humbi në fundin e pjesës së parë. Por për të mbyllur këtë ndeshje mendoi Shelvi, i cili dërgoi topin në rrjetë pasi portieri i dytë i londinezëve, Turbull, ia dorëzoi atë në një largim të gabuar.
Ky sukses i Liverpulit nuk ndihmon “të kuqtë” t’i afrohen zonës së rëndësishme të tabelës, por të paktën ata do të jenë të lumtur se kanë lënë jashtë katër skuadrave më të mira ekipin e Çelsit. që për të luajtur në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm, është i detyruar të fitojë në finalen e Mynihut. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 09 May 2012 08:03