Liverpuli mund të buzëqeshë përsëri, pasi pas 6 vitesh, i është kthyer fitoreve të një trofeu. Klubi legjendar, që tashmë drejtohet nga Keni Dalglish, ka arritur të thyejë tabunë duke fituar Kupën Karling, ndërsa është kthyer të festojë në stadiumin “Uembli” për herë të parë pas 16 vitesh.
Skuadra e Stiven Xherard është dashur të djersitë shumë për trofeun e tyre të 8-të të këtij turneu, pasi uellsianët e Kardif kanë qenë kundërshtarë shumë të fortë. Skuadra e kategorisë së dytë angleze ka kaluar e para në avantazh me anë të Xho Meizon. Barazimi i të kuqve do të vinte vetëm në minutën e 60-të me Skrtel.
Ndeshja shkoi në kohën shtesë dhe aty Dirk Kajt, i sapofutur në lojë, shënoi golin e avantazhit për Liverpul në minutën e 108-të. Mendohej se ky gol ishte i mjaftueshëm për të ngritur trofeun, por nuk e menduan në të njëjtën mënyrë uellsianët të cilët gjetën golin e barazimit në minutën e 118-të me Tërnër, duke bërë që gjithçka të vendoset nga gjuajtjet e 11-metërshave.
Si për ironi të fatit, vendimtare ishte penalltia e fundit e gabuar nga mesfushori i Kardif, Entoni Xherard, kushëriri i më të famshmit Stiven, duke mbyllur një seri gabimesh të njëpasnjëshme të të dy skuadrave. Nëse lojtari i uellsianëve dëshpërohej në mesin e fushës, kushëriri i tij ngrinte një tjetër trofe me skuadrën që e bëri të famshëm. (LajmeShqip.com)
Sunday, 26 February 2012 20:28