Liverpooli ka bërë një ofertë befasuese për mbrojtësin e Arsenalit, Gael Clichy. “Guardian” shkruan se menjëherë pas transferimit 20- milionësh të Jordan Hendersonit, Liverpooli ka bërë gati 5 milionë funte për Clichyn.
Kenny Dalglish është i paepur të përmirësojë mangësitë në ekip në prag të sezonit të ardhshëm, dhe pasi ka analizuar edhe mbrojtësin e Neëcastles, Luis Enrique, dhe atë të Celticut, Emilio Izaguirre, ka kthyer vëmendjen kah Clichy.
Francezi ka refuzuar ofertën e Arsenalit për vazhdimin e kontratës, e cila e lidhë atë me “topçinjtë” deri në fund të sezonit të ardhshëm.
Kjo ka bërë që drejtuesit e Emirates të mendojnë ta shndërrojnë atë në kesh në këtë verë, para se ai të largohet si i lirë vitin e ardhshëm. 25-vjeçari është i lidhur edhe me klube të tjera evropiane.
Ndërsa, kapiteni Steven Gerrard ka elektrizuar tifozët e LFC në mbarë botën, duke thënë që ai shpreson që të jetë në formën më të mirë të dekadës së fundit me Liverpoolin, sapo të rikthehet nga lëndimi.
“Kam shumë besim për atë se çfarë mund të bëj, do të jem në kondicionin dhe në formën psikike më të mirë në dekadën e fundit, jam duke punuar dyfish më shumë në trupin tim. Operacioni shkoi mirë dhe tani ndihem shumë, shumë më mirë. Mjeket e Liverpoolit po më monitorojnë çdo javë dhe rezultatet janë të mira”.
“Unë çdo ditë punoj 2 apo 3 orë vetëm me trupin tim, që të bindem se jam i gatshëm të kthehem i fortë. Nuk kam probleme, do të kthehem fuqishëm në skuadër, jam duke bërë joga disa herë në javë dhe po ndihem shumë mirë, nuk kam goditur një top për një kohë të gjatë, ndoshta më së gjati në karrierën time deri më tani dhe mezi po pres ta bëj ketë gjë”, përfundoi kapiteni i LFC Gerrard.
Friday, 10 June 2011 10:56