Ish-trajneri i kombëtares italiane të futbollit, Marçelo Lipi, e ka cilësuar Didier Drogba një “kafshë”, duke këshilluar Milanin të blejë sulmuesin, pavarësisht çmimit të lartë që ka.
Trajneri aktual i Guangzhou Evergrande në Kinë, i cili kohët e fundit është përmendur edhe si një alternativë për pankinën e Real Madrid, është mahnitur nga forma që ka shfaqur Drogba në kampionatin kinez, ku vesh fanellën e Shangai Shenhua.
“Nëse Robinjo dhe Pato largohen të dy nga Milani, atëherë unë do ta shihja Drogba më shumë me një fanellë kuqezi se me atë të Juventusit”, tha Lipi. “Ai luajti kundër skuadrës tonë dhe vazhdon të jetë një kafshë, bën me të vërtetë diferencën në fushën e lojës. Drogba do të ishte një vlerë e shtuar për skuadrën si në Serinë A, ashtu edhe në Ligën e Kampioneve”.
Trajneri mendon se ai do të formonte një dyshe shumë interesante me Stefan El Sharauin, por ndërkohë është i ndërgjegjshëm se sa e vështirë është një marrëveshje e mundshme, për shkak të kostos së lartë ekonomike.
“Duke folur nga ana teknike, ai do të formonte një dyshe perfekte me Stefan El Sharauin. Por ai nuk ndoqi zemrën, apo bëri një zgjedhje futbollistike, kur shkoi në Kinë. Atje fiton 1 milion euro në muaj. A thua vallë do të përgjysmojë rrogën e tij vetëm për të luajtur në Itali?”, tha trajneri italian që u shpall kampion në Kinë. (LajmeShqip.com)
Saturday, 29 December 2012 15:47