Deklarata e kryeministrit shqiptar Sali Berisha për krijimin e një Lige Mbarëkombëtare të futbollit për Shqipërinë dhe Kosovën, është pritur disi me skepticizëm. Pavarësisht pranimit se teorikisht një gjë e tillë mund të realizohet, të gjithë janë në pritje të zgjidhjeve politike, para se të ndërmerren hapa sportivë.
Kuptohet që për momentin, FIFA dhe UEFA nuk e lejojnë një gjë të tillë në bazë të rregulloreve të tyre, e për të dalë disi nga situata, të gjitha palët mundohen t’ia lënë pamundësinë e krijimit të këtij kampionati ndërkombëtar në dorë njëra-tjetrës, për të mos dalë bllof para tifozëve që e kanë kërkuar me kohë një gjë të tillë.
Ministri përgjegjës për sportin në Kosovë, Memli Krasniqi, ka lënë gjithçka në dorë të palës shqiptare. “Besoj se homologu im, Aldo Bumçi, do të marrë hapat konkretë. Të bëhet një propozim dhe pastaj, konform modaliteteve të mundshme dhe në koordinim me federatat përkatëse, pasi ato janë përgjegjëse për organizimin e garave, të marrim hapat e nevojshëm”, ishin fjalët e Krasniqit për mediat rreth kësaj teme.
Ndërkohë, presidenti i FFK, Fadil Vokrri, ka bërë të qartë se kjo fillimisht është një çështje politike, para asaj sportive, duke bërë të qartë se drejtuesit e futbollit në Kosovë e Shqipëri janë të gatshëm për unifikimin e kampionatit.
“Kjo është një ide e vjetër. Ne e mirëpresim rikthimin e kësaj ide nga ana e kryeministrit Berisha, por jam skeptik se mund të bëhet realitet, sepse FIFA nuk lejon krijimin e një ligë të tillë”, tha ai për KosovaPress. “Megjithatë, nëse politika kryen punën e vet, atëherë ne jemi të gatshëm që për 24 sekonda të realizojmë krijimin e një ligë të përbashkët, edhe pse unë jam skeptik në këtë drejtim”.
Ndërkohë, presidenti i FSHF, Armand Duka, deklaroi se ideja është diskutuar dhe mbështetur edhe më parë, por pengohet zbatimi i saj nga FIFA dhe UEFA.
“Dëshira e madhe për t’u bashkuar në futboll has një pengesë ligjore pasi statuset e organizmave ndërkombëtare e ndalojnë një gjë të tillë”, shpjegoi ai duke shtuar se si anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s, FSHF ka të drejtë të organizojë aktivitete kombëtare vetëm brenda territorit të Shqipërisë.
Kjo situatë ku të gjitha palët presin zgjidhje nga një palë tjetër, është pikërisht ajo me të cilën është përballur pak kohë më parë presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, i cili hodhi idenë e unifikimit të kampionateve, ose mundësisë së pjesëmarrjes së skuadrës së tij në kampionatin shqiptar të futbollit, pa marrë një përgjigje konkrete, megjithëse i dërgoi kërkesën e tij edhe krerëve të shtetit shqiptar.
“Ideja është e mrekullueshme. Ky është një moment historik, edhe pse deklarata ka qenë e mëhershme. Por kjo mund të jetë edhe marketing politik, ashtu sikurse ishte ideja e portit të Shëngjinit apo ajo e pasaportave shqiptare. Gjithsesi, do të ishte e mrekullueshme nëse kjo realizohet”, tha Ejupi për mediat duke komentuar idenë e Ligës Mbarëkombëtare. (LajmeShqip.com)
Saturday, 05 January 2013 21:47