Santos dhe Universidad i Kilit arritën të kalojnë në gjysmëfinalet e Kupës Libertadores pasi fituan në gjuajtjet nga pika e bardhë e penalltive në dy sfida mjaft të tensionuara.
Santos, fituese në fuqi e trofeut, ishte mundur 1-0 nga Velezh Sarsfild në fushën e kësaj të fundit në ndeshjen e parë dhe ekipi argjentinas bëri maksimumin për të ruajtur këtë avantazh minimal. Por kur kishin mbetur vetëm 12 minuta nga fundi i ndeshjes, sulmuesi Kardek arriti të dërgonte topin në rrjetë për të çuar skuadrat drejt kohës shtesë e pastaj penalltive.
Aty Santos fitoi 4-2 pasi Kanteros dhe Papa humbën gjuajtjet e tyre për Velezh. Skuadra e yllit Neimar do të ndeshet në gjysmëfinale me ekipin tjetër brazilian, Korinthians.
Në ndeshjen tjetër të zhvilluar mbrëmë, Universidad i Kilit ka mundur po me penallti paraguaianët e Libertad, pasi ndeshja mes dy skuadrave përfundoi në barazim1-1, ashtu si në sfidën e parë. Viktor Ajala humbi goditjen nga pika e bardhë për skuadrën paraguaiane, ndërsa Universidad tani do të ndeshet me Boka Juniors në gjysmëfinalet e turneut. (LajmeShqip.com)
Friday, 25 May 2012 11:51