Kupa Libertadores serviri dramën e minutave të fundit pasi Boka Juniors dhe Korinthians shënuan gola në fundin e ndeshjeve për të siguruar pjesëmarrjen në gjysmëfinalet e këtij edicioni.
Santiago Silva shënoi një gol në minutën e 91-të për t’i siguruar 6-herë fituesve të Boka Juniors pjesëmarrjen në gjysmëfinale pas barazimit 1-1 falë të cilit kaluan Fluminensen, që e kishin mundur 1-0 në takimin e parë. Ekipi brazilian nuk kishte në radhët e tij si Deko, ashtu edhe Fred, të dy të dëmtuar, por gjithsesi arriti të kalonte në avantazh me anë të Karleto. Brazilianët humbën disa raste të njëpasnjëshme me Tiago Neves dhe Rafael Moura, por ishte Boka Juniors që gjeti golin në aksionin e fundit të sfidës, duke kaluar në turin tjetër.
Në takimin tjetër, Paulinjo shënoi golin e fitores për Korinthians në minutën e 87-të i vetmi në dy sfidat mes tyre dhe ekipit tjetër brazilian, Vasko Da Gama. Në një ndeshje që u karakterizua më shumë nga ndërhyrjet e ashpra nga futbollistët e të dy skuadrave, diferencën e bëri ky gol i minutave të fundit që i dha mundësinë Korinthians t’i afrohet më shumë ëndrrës së fitores së një trofeu që nuk e ka ngritur asnjëherë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 24 May 2012 16:02