Bajer Leverkusen dhe Çelsi kanë arritur një akord për transferimin e Andre Shurle në radhët e skuadrës angleze gjatë merkatos së verës. Këtë fakt e ka konfirmuar menaxheri i përgjithshëm i klubit gjerman, Volfgang Holzhauser, i cili bëri të qartë se pjesë e marrëveshjes ishte edhe huazimi i Kevin De Bryn për sezonin e ardhshëm.
Shurle ka luajtur në të 34 ndeshjet e Bundesligës me Leverkusen në këtë sezon, duke shënuar 11 gola, ndërsa më bindëse është statistika e tij me përfaqësuesen gjermane ku ka shënuar 7 gola në 23 ndeshje.
“Kemi arritur një marrëveshje me Çelsin”, tregoi Holzhauser. “Ata do të blejnë Andre Shurle për një shifër specifike dhe si këmbim ata do të na huazojnë falas për një sezon De Bryn. Pres që Çelsi të respektojë akordin që është arritur mes palëve.
Në fakt futbollisti belg është përmendur si një përforcim i mundshëm i Borusia Dortmund që do t’i jepte atij fanellën e lënë bosh nga Mario Gëtze. Dortmundi mundi Leverkusenin në sigurimin e firmës së Sokratis Papastatopulos, ndaj Holzhauser mendon se Jurgen Klop po ndjek me vëmendje të gjithë lojtarët e piketuar nga ky klub që të ketë një superioritet të garantuar në kampionat.
“Ndoshta Dortmundi ka qejf që konkurrenca të mbetet poshtë nivelit të tyre”, tha drejtuesi i Leverkusen. (LajmeShqip.com)
Thursday, 30 May 2013 19:15