Aleks Ferguson ka marrë një paralajmërim që të mos provojë t’i afrohet mesfushorit gjerman Lars Bender nga klubi i këtij të fundit, Bajer Leverkusen. Drejtuesit e klubit kanë bërë të qartë se për ta, futbollisti 23 vjeçar është thjesht i “pashitshëm”.
Trajneri i Mançester Junajtid është vënë në kërkim të një mesfushorit të fortë fizikisht dhe skautët e klubit kanë sjellë një raport mjaft të mirë për lojtarin që po shkëlqen në Bundesligë dhe është bërë pjesë e kombëtares gjermane.
Kjo ka detyruar palën gjermane që të lëshojë një paralajmërim të qartë si për “djajtë e kuq”, ashtu edhe për Arsenalin që me sa duket ka dërguar gjithashtu gjurmues për të ndjekur ecurinë e këtij futbollisti.
“Krejt e thjeshtë, Lars është i pashitshëm”, deklaroi shefi ekzekutiv i Bajer Leverkusen, Volfgang Holzhauser. “Pasi kemi punuar kaq shumë për të ndërtuar një skuadër cilësore, gjëja e fundit që duam të bëjmë është ta dobësojmë atë duke larguar elementë të vlefshëm. Këtë pozicion mbajtëm edhe kur kishte interesim për Andre Shurle gjatë verës dhe e njëjta gjë vlen tani për Lars”.
Klubi gjerman i rinovoi dhe i përmirësoi kontratën mesfushorit gjatë verës së fundit, duke e shtyrë atë deri në vitin 2017, duke parë interesimin e vazhdueshëm të klubeve të mëdha, përfshirë edhe Bajern Mynih. Por mediat gjermane janë të bindura se një ofertë prej 35 milionë eurosh mund të shtyjë klubin gjerman të pranojë të transferojë lojtarin, i cili shihet si një prej futbollistëve që shumë shpejt do të kthehet në titullar edhe në radhët e përfaqësueses gjermane. (LajmeShqip.com)
Thursday, 01 November 2012 15:10