Sulmuesi i Borusia Dortmund, Robert Levandovski, ka thënë se e ardhmja e tij do të bëhet më e qartë në fund të këtij sezoni. Sulmuesi polak kishte lajmëruar që më parë klubin për vendimin e tij për të mos rinovuar kontratën ekzistuese, ndërsa Borusia Dortmund ka deklaruar se është e gatshme ta mbajë deri në fund të marrëveshjes aktuale, ndonëse do ta humbasë me parametër zero një vit më pas.
24 vjeçari ka tërhequr interesimin e klubeve më të mëdha evropiane si Bajern Mynih, Mançester Junajtid dhe Real Madrid, por ai ka bërë të qartë se nuk do të tregojë asgjë pa mbyllur këtë sezon.
“Kam vetëm një gjë në mendje aktualisht. Transferimi apo jo është një çështje që nuk më shqetëson për momentin. Duhet të pritni deri në fund të sezonit dhe atëherë mendoj se gjithçka do të bëhet më e qartë”, tha sulmuesi i cili po përgatitet për finalen e Ligës së Kampioneve.
Levandovski ka shënuar 23 gola në 30 ndeshje në Bundesligë në këtë sezon, ndërsa ka shënuar 10 gola në 12 ndeshje në këtë edicion të Ligës së Kampioneve. (LajmeShqip.com)
Friday, 17 May 2013 09:59