Sulmuesi i Borusia Dortmund, Robert Levandovski, do të bëhet pjesë e Mançester Juanjtid në sezonin e ardhshëm. Sipas “The Sun”, lojtari polak u ka treguar miqve të tij se ai do të largohet nga skuadra gjermane në fund të këtij edicioni dhe “djajtë e kuq” janë destinacioni më i mundshëm.
Pasi refuzuan ofertat e vazhdueshme për lojtarin gjatë verës, drejtuesit e Borusia Dortmund tashmë janë të ndërgjegjshëm se nuk do të arrijnë ta mbajnë lojtarin, të cilin i përfundon kontrata në vitin 2014.
Një situatë e tillë, ka shtyrë drejtuesit e Mançester Junajtid të mendojnë se mund ta blejnë atë për pak më shumë se 12 milion paund që paguan këtë verë për të marrë një ish-shokun e tij te ekipi gjerman, japonezin Shinji Kagaua.
Ideja e Aleks Ferguson është të vendosë 24 vjeçarin Levandovski përkrah Van Persit, me Uejn Runin që vepron pas krahëve të tyre, për të kthyer sulmin e skuadrës së tij në një prej më të rrezikshmëve në Evropë.
Ndërkohë, trajneri skocez ka bërë të qartë se pret më shumë gola pikërisht nga Runi, i cili është shfaqur larg formës së tij të zakonshme që nga momenti kur në skuadër ka mbërritur Van Persi, pasi ka shënuar vetëm 3 gola në 14 ndeshje.
“Jam i lumtur që merr pjesë në lojën e skuadrës me pasimet që jep për shokët, por do të dëshiroja që të shënonte më shumë. Ai është një lojtar që po mungoi qoftë edhe në një ndeshje, humb ritmin e tij dhe kjo është ajo që ka ndodhur për shkak të problemeve të vogla që ka patur”, tregoi trajneri skocez. (LajmeShqip.com)
Saturday, 01 December 2012 12:45