Gazeta gjermane “Bild” ka bërë të ditur se Robert Levandovski mund të quhet pa frikë një futbollist i Mançester Junajtid, pas një akordi parimor të arritur mes palëve për transferimin e tij në Angli duke filluar nga sezoni i ardhshëm.
Klubi anglez ka rënë dakord të paguajë të Borusia Dortmund një shumë që mendohet se është 18 milion paund për të marrë futbollistin, ndërsa këtij të fundit i është ofruar një kontratë 5 vjeçare nga e cila do të përfitojë 4.1 milion paund në sezon, thuajse dyfishin e asaj që merr në radhët e klubit gjerman.
Kontrata e lojtarit me Borusian përfundonte në fund të edicionit të ardhshëm dhe ai kishte bërë të qartë se nuk do të rinovonte, më drejtuesit që ishin vënë në kërkim të një ekipi ku ta dërgonin polakun, i cili në këtë sezon ka shënuar 14 gola në 23 ndeshje të luajtura.
Megjithëse presidenti i klubit gjerman, Hans Joakim Uatzke, deklaroi pak kohë më parë se është gati ta mbajë Levandovskin deri në fundin e kontratës dhe ta lërë të largohet me parametër zero, vështirë se mund të refuzonte një oferte kaq të rëndësishme të bërë nga Mançester Junajtid.
Klubi anglez ka që tani një sulm të jashtëzakonshëm, i cili ka shënuar 49 gola në 19 ndeshje, por Ferguson ka ëndërruar gjithmonë të krijojë një treshe sulmuesish që të frikësojë çdo mbrojtje në Evropë. Me Runin dhe Van Persin në skuadër, atij i mundonte një qendërsulmues i mirëfilltë, rol të cilin e mbulon më së miri Levandovski, i cili do të gjente në radhët e ekipit anglez edhe mikun e tij, Shinji Kagaua. (LajmeShqip.com)
Thursday, 27 December 2012 14:58