Robert Levandovski vazhdon të deklarojë se nuk ka firmosur me Bajern Mynih por menaxheri i tij nuk e mendon në të njëjtën mënyrë. Sulmuesi polak pritet t’i japë lamtumirën Borusia Dortmund, pasi skuadra gjermane nuk dëshiron të rreizikojë që ta humbë me parametër zero në sezonin e ardhshëm një nga lojtarët më të kërkuar në merkaton e verës.
“Nuk di asgjë rreth kësaj teme. Ashtu siç e kam thënë më parë, për të njohur të ardhmen time duhet të presim dhe të shpresojmë se gjithçka do të mësohet shumë shpejt”, ishte komenti i sotëm i futbollistit.
Por më i qartë ka qenë menaxheri i tij që praktikisht i ka vënë vulën kalimit të Bajern Mynih.
“Përsa na përket ne, kjo çështje ka përfunduar, edhe pse nuk është firmosur ende asgjë me ndonjë skuadër të re”, konfirmoi menaxheri Cezari Kuçarski për një televizion polak. “Tani është në dorën e klubeve të arrijnë një marrëveshje. Por për transferimin e vërtetë mund të duhet të presim 2-3 javë”.
Këto deklarata bëjnë të qartë se Borusia Dortmund duhet të dorëzohet dhe vetëm të negociojë për të përfituar sa më shumë nga shitja e futbollistit polak, që ka mahnitur në sezonet e fundit në Gjermani. (LajmeShqip.com)
Monday, 27 May 2013 18:18