Trajneri i kombëtares gjermane, Joakim Lëv, ka hedhur poshtë çdo krahasim të kësaj përfaqësueseje me Barcelonën, duke thënë se dy skuadrat kanë një stil të ndryshëm loje.
Lëv sqaroi se Kampionët e Evropës përqendrohen kryesisht te futbolli me mbajtjen e topit, ndërsa Gjermania synon të gjejë golin sa më shpejt që të jetë e mundur nëpërmjet kundërsulmeve.
“Ne kemi zhvilluar një përzierje të mirë mes pasimit, vrapimit, rifitimit të topit dhe kundërsulmeve të shpejta. Ne nuk jemi si Barcelona që mundohet të mbajë sa më shumë topin në zotërim”, deklaroi Lëv për mediat gjermane.
“Unë i them skuadrës time: Nëse e rifitojmë topin, dua ta shoh atë në portën kundërshtare brenda 8 sekondave. Kjo është filozofia ime. Ajo që mund të përmirësojmë tani është zhvillimi personal i lojtarëve të rinj si Gëtze, Kros apo Shurle”.
Trajneri i Gjermanisë më pas foli edhe për vlerat që luan psikologjia në futboll duke theksuar se ana psikologjike luan një rol të rëndësishëm në ndeshje.
“Spanjollët nuk e fitojnë dyluftimin me forcë dhe agresivitet. Ata janë të shpejtë në mendime. Ky është një funksion i rëndësishëm në zhvillimin e çdo futbollisti, përmirësimi i shpejtësisë së mendimit.
Nëse një lojtar ka një teknikë të mirë dhe një shpejtësi bazë të mirë, por është i ngadaltë në kokën e tij, kjo mund të ulë vlerën që merr ai në skuadër”, deklaroi Joakim Lëv, i cili shihet si një nga zëvendësuesit e mundshëm të Pep Guardiolës në stolin e Barcelonës. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 04 January 2012 18:00