Drejtori sportiv i PSZH-së, Leonardo, ka treguar për “L’Equipe” se klubi që ai drejton sheh me prioritet kampionatin italian dhe mundësinë e përforcimit nga ky vend, pasi skuadrat italian po kalojnë një krizë të rëndë ekonomike,
Sipas ish-trajnerit të Milanit dhe Interit, të gjitha klubet italiane janë vetëm në fazën që shesin lojtarë dhe për këtë arsye po sheh gjithmonë më parë në këtë drejtim, edhe për faktin se njeh mirë kampionatin italian.
“Vij nga Italia dhe njerëzit thonë se jam bërë italian. Por e vërteta është se nëse kemi blerë shumë lojtarë në Itali gjatë verës, e kemi bërë sepse klubet italiane po kalojnë një periudhë shumë të vështirë nga ana ekonomike. Tashmë klubet e Serisë A janë vetëm shitëse”.
Leonardo ka treguar se i mungon pankina, por vështirë se do të kthehet për të drejtuar një skuadër në një të ardhme të afërt, për më tepër PSZH. “Çfarë më mungon nga detyra e trajnerit? Sidomos atmosfera e ndeshjes dhe adrenalina e fushës së lojës. Por sot kam zgjedhur të bëj një punë tjetër. A mund të kthehem në pankinë? Mund të ndodhë, unë jam i hapur për gjithçka. Por do të jetë e vështirë që ta bëj një gjë të tillë këtu në Paris pasi kam qenë më parë në rolin e drejtorit sportiv. E kam bërë të njëjtën gjë te Milan, por atje situata ishte ndryshe”, shpjegoi Leonardo.
Në fund, një vlerësim shumë i veçantë për trajnerin Karlo Ançeloti. “Ai është trajner që njeh gjithçka nga kundërshtarët, edhe ngjyrën e mbathjeve”. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 03 April 2012 19:32