Drejtori sportiv i Paris Sen Zhërmen, Leonardo, ka pohuar se Real Madrid po ndjek me vëmendje trajnerin Karlo Ançeloti, duke shtuar spekulimet se spanjollët kërkojnë trajnerin italian pas largimit të Zhoze Murinjos.
“Ka shumë kohë që Reali dëshiron Ançelotin, por dëshira jonë është që ai të vazhdojë këtu me ne. Ai është një person i jashtëzakonshëm dhe shumë i rëndësishëm për të ardhmen e PSZH. Nëse ai do të dëshirojë të vazhdojë këtu, do t’i ketë dyert të hapura pasi ka besimin e plotë të drejtuesve dhe është trajneri më i mirë në botë”, ishin elozhet e Leonardos.
Më pas, ai ka folur edhe për mundësinë që Kristiano Ronaldo të bëhet pjesë e ekipit parisien në të ardhmen, siç flitet prej shumë kohësh në shtypin sportiv.
“Sinqerisht që nuk di asgjë rreth kësaj teme dhe mendoj se edhe ai nuk e di se çfarë do të ndodhë përveç faktit që tani është në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve”, deklaroi drejtori sportiv i PSZH në këtë prononcim të tij për “Telefoot”. (LajmeShqip.com)
Monday, 15 April 2013 15:46