Komisioni i Disiplinës së Federatës Franceze ka vendosur një pezullim model për drejtuesin e PSZH, Leonardo, pasi ka dënuar këtë të fundit me 9 muaj. Drejtori sportiv i klubit parisienin u ndëshkua sepse shtyu gjyqtarin Kastro pas ndeshjes mes PSZH dhe Valensien të 5 majit. Sikur të mos mjaftonte kjo, edhe klubi i PSZH është dënuar me heqjen e 3 pikëve me kusht në sezonin e ardhshëm, që do të thotë se penaliteti hyn në fuqi nëse përsëritet një ngjarje e tillë.
Leonardo, i cili shtyu me sup gjyqtarin në përfundimin e ndeshjes së mësipërme, ishte nervozuar me drejtuesin e garës pasi ky i fundit kishte ndëshkuar me karton të kuq Tiago Silvan, por ai ka pretenduar gjithmonë se ky nuk ishte një gjest i vullnetshëm.
“Në video shihet qartë se është delegati që më bllokoi rrugën dhe unë u përplasa pa dashje me gjyqtarin. Ishte ai që më shtyu drejt gjyqtarit”, tha Leonardo. “Nuk më duket se gjyqtari ka shprehjen e fytyrës së një personi që sapo është sulmuar. Nuk ka asnjë akt dhune nga ana ime”.
Vetë klubi i PSZH ka bërë të qartë se do të apelojë vendimin në fjalë duke e cilësuar të padrejtë dhe të pabazuar në fakte reale. (LajmeShqip.com)
Friday, 31 May 2013 08:55