Revista prestigjioze France Football, ka bërë të ditur se Lionel Mesi është ngjitur më në fund në kreun e një renditje tjetër, atë të futbollistëve më të paguar në botë. Lojtari argjentinas ka lënë pas në këtë renditje kryesuesin historik të saj, anglezin Devid Bekam, ndërsa në vendin e tretë renditet portugezi i Real Madrid, Kristiano Ronaldo.
Sipas France Football, Mesi aktualisht përfiton 33 milionë euro në vit, ku 10.5 milionë janë rroga që përfiton nga Barcelona, 1.5 milionë euro janë bonuse nga ekipi katalanas, ndërsa 21 milionë euro vijnë nga reklamat dhe kontrata të tjera.
Mesfushori Bekam, i cili rinovoi kontratën e tij te LA Galaksi në SHBA, përfton 31.5 milionë euro, kryesisht falë 26 milionë eurove që merr nga reklamat dhe të drejtat e imazhit.
Kristiano Ronaldo ndërkohë, fiton 29.2 milionë euro, nga të cilat 13 milionë euro janë rroga që merr te madrilenët dhe 15.5 milionë euro janë përfitime që vijnë nga reklamat apo të drejtat e imazhit.
Revista franceze bën të ditur se trajneri i Kristiano Ronaldos te Real Madrid, Zhoze Murinjo, është trajneri më i paguar në botë, me 14.8 milionë euro në vit, i ndjekur nga tekniku i PSZH, Karlo Ançeloti që merr 13.5 milionë euro. (LajmeShqip.com)
Monday, 19 March 2012 21:38