Ezekuiel Laveci ka ndër mend që të kthehet në Itali dhe të jetojë në Milano, ndoshta shumë më shpejt sesa mendohet. Argjentinasi, i cili gjatë verës së kaluar u transferua nga Napoli te PSZH, ka qenë gjatë ditës së fundit në Milano, duke i shkelur syrin kuqezinjve të Milanit.
“Të vij në Milano më pëlqen gjithmonë. Një të ardhme këtu me Milanin? Kurrë mos thuaj kurrë”, ishte komenti i fantazistit argjentinas, i cili ka darkuar në një nga “strofullat” e Milanit, restorantin “Giannino”, vend i cili vizitohet shpesh nga drejtuesit e kësaj skuadre dhe ku vetë Galiani ka realizuar shumë transferime lojtarësh.
I ndalur nga gazetarët, ai ka shpjeguar vetëm se ishte aty për shkak të miqësisë me pronarin e restorantit dhe se kishte ditën e lirë nga klubi.
Kuptohet që për të realizuar një marrëveshje të mundshme duhet fillimisht të zgjidhet kontrata e tij ekzistuese me PSZH, ku i kanë mbetur edhe 3 vite ndërsa ka një rrogë prej 4 milion eurosh në sezon.
Çmimi që kalon 20 milion eurot dhe rroga e tij e lartë janë pengesa mjaft të rëndësishme, sidomos në një periudhë kur Milani mendon të ulë shpenzimet dhe të shohë gjithnjë e më shumë drejt të rinjve. Por ashtu si në rastin e Balotelit, kuqezinjtë mund të tërhiqen nga ideja për të afruar një kampion, për të bërë një hap më cilësor dhe për të formuar një treshe sulmi të frikshme, duke vene argjentinasin përkrah dyshes Baloteli-El Sharaui. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 23 April 2013 19:10