Majkëll Laudrup është aktualisht një nga emrat më të ndjekur mes trajnerëve në Evropë, por danezi ka vendosur që të qëndrojë në drejtimin e Suonsit. Klubi bëri të ditur të premten në darkë se trajneri që ndiqej me interes nga klubet e mëdha angleze si dhe ato spanjolle, ka rinovuar kontratën e tij deri në qershorin e vitit 2015, duke vendosur të mbetet pjesë e uellsianëve të cilëve u siguroi në këtë sezon trofeun e parë në historinë e klubit.
“E di që kanë ekzistuar shumë spekulime, por unë e kam thënë gjithmonë se jam i lumtur këtu dhe nuk kam pasur kurrë dyshime mbi qëndrimin tim”, tha Laudrup. “Kemi nisur diçka të rëndësishme në këtë sezon të cilën unë dua ta vazhdoj. Ndaj jam i lumtur që firmosa një marrëveshje të re dhe pres me padurim sezonin e ardhshëm”, tha 48 vjeçari.
Laudrup ishte “mendja” pas suksesit të Suonsi në Kupën e Ligës, ndërsa kjo skuadër mban vendin e 8-të në kampionat, duke dhuruar shumë rezultate të mira në këtë sezon. Ish-trajneri i Getafe, Majorka dhe Spartak Moskës firmosi një kontratë dyvjeçare në qershorin e vitit të kaluar, kur Brendan Roxhers u largua drejt Liverpulit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 09 March 2013 11:32