Portieri rezervë i kombëtares së Francës, Mikael Landro, ka gjetur një marrëveshje për prishjen e menjëhershme të kontratës së tij me klubin e Lilë, sipas asaj që është raportuar në mediat franceze, por që nuk është konfirmuar ende zyrtarisht nga vetë kampionët e vitit 2011.
Portieri 33 vjeçar ka kërkuar që të largohet nga klubi pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme me trajnerin Rudi Garsia dhe pjesëtarë të tjerë të stafit, pakënaqësi që kanë disa muaj që vazhdojnë dhe tani me sa duket kanë sjellë divorcin përfundimtar mes palëve.
Landro, i cili ka luajtur 568 ndeshje në kampionatin francez me skuadra si Nantë, PSZH dhe Lilë, ishte një nga lojtarët kyç të ekipit që siguroi titullin kampion në vitin 2011, pas më shumë se 50 vitesh pa suksese.
Ai debutoi në moshën 17 vjeçare me Nantë. Deri tani, ka siguruar 11 ndeshje me kombëtaren e Francës, por është kthyer në rezervën e parë të Hugo Loris që nga momenti kur Didier Deshamp mori drejtimin e përfaqësueses.
Tani pritet të mësohet se cili do të jetë destinacioni i tij i radhës, pasi në janar mund t’i bashkohet lirisht çdo skuadre tjetër. (LajmeShqip.com)
Friday, 07 December 2012 14:02