Frenk Lampard mendon se ka ardhur koha që Çelsi t’i japë fund politikës së ndryshimit të vazhdueshëm të trajnerëve dhe t’i japë atij të radhës më shumë kohë për të sjellë pak qëndrueshmëri në radhët e londinezëve.
“Do të ishte e këndshme nëse një trajner do të vinte dhe do të kishte mundësi për pak më shumë qëndrueshmëri duke qëndruar më gjatë në detyrë. Kemi pasur disa trajnerë të përkohshëm dhe të gjithë e dimë që tifozët dhe klubi me shumë mundësi do të ishin shumë më të lumtur nëse do të gjendej një trajner që do të qëndronte për më shumë se gjysmë sezoni apo një periudhe të përafërt”, deklaroi mesfushori që mbyll kontratën e tij me londinezët në fund të këtij sezoni.
Një nga emrat që përflitet më shumë se do të marrë drejtimin e Çelsit është pikërisht ai i Zhoze Murinjos, nën drejtimin e të cilit Lampard ka përjetuar periudhën e artë të karrierës së tij.
“Zhoze është absolutisht një trajner fantastik, një nga legjendat e Ligës së Kampioneve. Nuk ka dyshime për CV-në e tij. Nëse ai vjen te Çelsi, rri te Real Madrid apo shkon në ndonjë klub tjetër, unë besoj se ai do të vazhdojë të jetë i suksesshëm. Kjo është ajo që ka bërë gjithmonë dhe meqë kam punuar me të, jam i sigurt për një gjë të tillë”, tha Lampard, që në ndeshjet e mbetura të këtij sezonin nën drejtimin e Benitez, shpreson të ketë hapësirat e duhura për të shënuar 3 golat që e ndajnë nga rekordi i golashënuesit më të mirë në historinë e klubit. (LajmeShqip.com)
Saturday, 20 April 2013 09:03