LA Galaksi ka gjetur zëvendësuesin e Devid Bekam, as dy muaj pas largimit të mesfushorit anglez, duke afruar një bashkëkombës të tij. Një burim pranë klubit të Çelsit ka konfirmuar për mediat ndërkombëtare se Frenk Lampard do të udhëtojë drejt SHBA në fund të këtij sezoni, pasi ka gjetur akordin me klubin amerikan.
Klubi i MLS vetë nuk ka dashur të pohojë apo mohojë një akord të tillë, por vetëm ka deklaruar se trajneri Brus Arena është i interesuar për lojtarin. Lampard mendohet se do të mbyllë sezonin aktual te Çelsi, ndërsa do të kalojë në radhët e skuadrës amerikane gjatë verës, si lojtar i lirë.
Megjithëse objektivi kryesor i këtij klubi ishte braziliani Kaka, duket se ata kanë ndryshuar mendje dhe tashmë kanë zgjedhur Lampard, i cili ka popullaritet të madh, ndonëse nuk gëzon statusin e “yllit” ashtu si Bekam e Kaka.
Edhe pse 34 vjeçar, Lampard ka qenë një ndër golashënuesit më të mirë të Çelsit në këtë sezon, me 7 gola në 14 ndeshjet e luajtura deri tani. Në fakt, ai është mesfushori qendror që ka shënuar më shumë gola në futbollin anglez, me 194 të tillë në 584 ndeshje të luajtura në këtë vend.
Vetë trajneri i LA Galaksi, Brus Arena, bëri të ditur se një vendim për “yllin” e ri të skuadrës do ta merrnin vetëm javën e ardhshme, pasi të detajohej plani i sezonit për kampionët e SHBA. (LajmeShqip.com)
Friday, 18 January 2013 16:04