Frenk Lampard ka pranuar se marrëdhënia e tij me Rafel Benitez në muajt që spanjolli drejtoi Çelsin, nuk ka qenë nga më të mirat e mundshme dhe se ai praktikisht nuk është miqësuar asnjëherë me trajnerin e përkohshëm të londinezëve. Mesfushori ka treguar se si 6 muajt e drejtimit të Benitez kanë qenë ndër më të vështirët në karrierën e tij si futbollist.
“Janë disa trajnerë me të cilët ndërton një marrëdhënie dhe krijon afrimitet. Ai nuk është një tip i tillë. Disa trajnerë vendosin një vijë ndarëse ku përfundon çdo marrëdhënie mes palëve dhe Benitez është më shumë një tip i tillë. Ai nuk është lloji i trajnerit më të cilin mund të ulesh të bisedosh”, shpjegoi Lampard.
“Ne zhvilluam pak biseda bashkë rreth të ardhmes time, ku ai u tregua i sinqertë me mua duke më thënë se nuk ishte i përfshirë. Por kaq ishte e gjitha! Ai nuk është lloji i trajnerit që shkon dhe i hedh dorën mbi shpatulla lojtarëve të tij. Megjithatë, nuk mund të them se kjo është e gabuar. Edhe Kapelo bënte një gjë të tillë te Anglia”, shpjegoi mesfushori.
Por duket se Lampard nuk e ka pëlqyer shumë Benitez, edhe për faktin se mesfushori nuk i ka dalë në mbrojtje spanjollit sa herë që vetë tifozët e Çelsit e fyenin atë në stadium. Kuptohet që ai pret kthimin e trajnerit i cili sipas tij ka ndikuar më shumë në karrierën e “brezit të artë” të Çelsit.
“Zhoze Murinjo është trajneri më i mirë me të cilin kam punuar ndaj shpresoj që ai të kthehet sa më parë këtu”, ishin fjalët e Lampard. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 22 May 2013 09:34