Dështimi i madh i këtij sezoni për Liverpulin, mesfushori Xhordan Henderson, i është bashkuar kombëtares angleze për të marrë pjesë në Euro 2012 pasi Frenk Lampard është detyruar të braktisë “tre luanët” pas një dëmtimi në kofshë. Futbollisti i Çelsit u rrëzua në tokë duke shtrënguar me dorë kofshën gjatë stërvitjes të së mërkurës, në një moment kur po vraponte i vetëm për të marrë një top që kishte dalë nga fusha.
Kjo vështirëson më shumë situatën në mesfushën e Anglisë, ku pak ditë më parë u desh të largohej nga kombëtarja i dëmtuar edhe Garet Berri, ndërsa Skot Parker sapo është kthyer nga një dëmtim në thembër.
Henderson nuk është një zgjedhje popullore mes tifozëve, pasi ai ka zhvilluar një sezon shumë të dobët me Liverpulin, skuadër te e cila u transferua gjatë verës së kaluar pasi i kushtoi 20 milion paund.
Ky dëmtim duket se mund të jetë edhe fundi i karrierës me kombëtaren për Frenk Lampard, pasi 33 vjeçari vështirë se do të ketë më vend në përzgjedhjen e Hodgson që nga shtatori i këtij viti, kur të fillojnë kualifikueset për Botërorin 2014. Trajneri i Anglisë ka bërë të qartë se pas përfundimit të Euro 2012, në kombëtare do të ketë ndryshime për të favorizuar ndërthurjen e lojtarëve të brezit të ri. (LajmeShqip.com)
Thursday, 31 May 2012 22:00