Frenk Lampard do të mbyllë karrierën e tij si futbollist me fanellën e Çelsit, pasi klubi është gati t’i ofrojë atij një kontratë të re këtë vit. Shef ekzekutiv i klubit, Ron Gurlei, dëshiron që të ketë siguruar rinovimin e disa prej veteranëve të skuadrës si Lampard, Esien dhe Malouda, për të mos i lënë të largohen.
Gjithashtu, pritet që së shpejti të bëhet lajmërimi zyrtar për lamtumirën e dy prej heronjve të finales së Mynihut, Solomon Kalu dhe Zhoze Bosingua. Kjo çon në tre numrin e lojtarëve protagonistë të suksesit në Ligën e Kampioneve që largohen nga klubi, pasi listën e kryeson Didier Drogba.
Në rastin e Kalu, Çelsi do të kërkojë të flasë edhe një herë me futbollistin, nëse trajneri i ardhshëm do ta shohë si të përshtatshëm për planet e tij, ndërsa ka lajmëruar lojtarin që të rrijë në pritje të një telefonate.
33 vjeçari Lampard ka edhe një vit të mbetur në kontratën e tij ekzistuese, nga e cila përfiton një rrogë prej 150 mijë paund në javë. Por me kontratën e re, ai pritet që të përfitojë një rrogë prej 175 mijë paund në javë, po aq sa Fernando Torres që është lojtari më i paguar në skuadër.
Ndërkohë, është identifikuar një tjetër lojtar që mund të zëvendësojë Didier Drogba. Ai është sulmuesi i CSKA Moskës, Seidu Dumbia, i cili mendohet se kushton rreth 26 milion paund. (LajmeShqip.com)
Thursday, 24 May 2012 12:30