Frenk Lampard ka pranuar se është gati të fillojë negociatat për një kontratë të re me Çelsin, në mënyrë që të mbyllë karrierën e tij si futbollist me këtë skuadër. 34 vjeçarit i ka mbetur edhe një vit në kontratën ekzistuese dhe është përfolur shpesh se ai është ylli i radhës që do të largohet nga fituesit e Ligës së Kampioneve.
“Jam gati të ulem dhe të bisedoj me Çelsin kurdo që ata të jenë të gatshëm për ta bërë një gjë të tillë. Kam kaluar një kohë të shkëlqyer te Çelsi dhe shpresoj që kjo gjë të zgjatë edhe në vazhdim”.
“Por nuk dëshiroj të largohem nga futbolli i luajtur duke u zhdukur pak nga pak, pa luajtur dhe pa dhënë atë që jam në dispozicion të ofroj për skuadrën. Dua të jem gjithmonë në një nivel ku e di se mund të luaj dhe mund të jap diçka. Mendoj se mund të luaj edhe më shumë se një vit në nivele të larta”, u shpreh mesfushori.
“Kur je 25 vjeç vijnë menjëherë dhe të trokasin në derë duke të ofruar rinovimin, por pasi kalon moshën 30 vjeç gjërat nuk janë më njëlloj dhe unë e kuptoj një gjë të tillë. Por Çelsi do të mbetet gjithmonë skuadra ime e zemrës, pavarësisht asaj që do të ndodhë pas një viti”, deklaroi lojtari. (LajmeShqip.com)
Thursday, 26 July 2012 08:40