Mesfushori i Çelsit, Frenk Lampard, ka pranuar se dëshiron që të ulet në pankinë si trajner i kësaj skuadre pasi të ketë mbyllur karrierën e tij si futbollist.
34 vjeçari Lampard ka qenë pjesë e kësaj skuadre që në vitin 2001, ndërsa është në vitin e fundit të kontratës së tij me londinezët.
“Po mendoj seriozisht për kualifikimin e trajnerit tani, por ekziston vetëm një klub të cilin dëshiron të drejtoj në të ardhmen”, tha ai për “The Sun”.
“E di që do të duket si mendjemadhësi apo mburrje, por nuk dua “të tregoj veten” duke bërë më parë praktikë me një klub më të vogël. Megjithëse nuk e pres që të filloj menjëherë punë si trajner i Çelsit, ky është i vetmi klub të cilin do të dëshiroja të drejtoja në karrierën time”.
“Do të dëshiroja shumë ta bëja një eksperiencë të tillë por edhe të paraqitesha mirë. Nuk do të dëshiroja kurrë që tifozët e skuadrës të harronin të gjithë atë që kam bërë si lojtar për këtë klub nëse nuk jam në gjendje të drejtoj ekipin”, pranoi Lampard.
Mesfushori ka fituar me fanellën e Çelsit Ligën e Kampioneve, tituj kampion në Angli si dhe Kupa, ndërsa është drejtuar nga disa prej trajnerëve më të njohur në arenën ndërkombëtare si Zhoze Murinjo, Felipe Skolari, Gus Hidink e Karlo Ançeloti. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 29 August 2012 16:32