Frenk Lampard ka pranuar se Didier Drogba është i pazëvendësueshëm në radhët e Çelsit. Ai ka pranuar se ishte i “dëshpëruar” në tentativën për të bindur “makinën e golave” për të nënshkruar një kontratë të re me skuadrën angleze, pasi ajo ekzistuese përfundon gjatë verës.
Mesfushori i kombëtares angleze ka pranuar se do të ishte e pamundur për Çelsin të plotësonte boshllëkun e lënë nga sulmuesi i cili është lojtari i vetëm që ka shënuar në katër finale të Kupës FA si dhe ka shënuar në të 8 ndeshjet që ka luajtur në “Uembli”.
“Ai është unik. Nuk ka asnjë futbollist si Didier, asnjë me mënyrën e lojës si buldozer apo me prekjen dhe finalizimin që ka ai”.
“Çdokush duhet të lëvizë në një pikë të caktuar të karrierës dhe duhet të gjesh një lojtar apo një mënyrë tjetër të luajturi, por për atë që i ka dhënë këtij klubi, Drogba meriton gjithçka”.
“Kërkoj me dëshpërim që ai të qëndrojë, ai është një lojtar i mrekullueshëm. Ai është një makinë. Nuk ka humbur aspak nga shpejtësia dhe instinkti për të finalizuar në portë. Çfarëdo që të bëjë, ai mbetet një hero për atë që i ka dhënë klubit dhe do të kujtohet si legjendë”, ishin fjalët e Lampard për shokun e tij të skuadrës. (LajmeShqip.com)
Monday, 07 May 2012 16:10