Frenk Lampard ka lënë të kuptohet se ai është shumë pranë arritjes së një marrëveshje të re me Çelsin dhe firmës së rinovimit me këtë klub, pasi drejtoi skuadrën te suksesi 2-1 ndaj Benfikës në finalen e Europa League të mërkurën.
Mesfushori 34 vjeçar, autor i 203 golave dhe tashmë golashënuesi më i mirë në historinë e Çelsit, duket se është shumë pranë arritjes së marrëveshjes sipas fjalëve të tij.
“Unë shpresoj shumë që të jem përsëri këtu në sezonin e ardhshëm”, tha ai menjëherë pas ndeshjes së mbrëmshme. “Me ndeshjen e sotme dhe atë tjetrën që do të luajmë me Everton të shtunën, nuk jemi ulur dhe nuk kemi firmosur asgjë. Por shpresoj që ta bëjmë një gjë të tillë dhe gjërat duket se po ecin në rrugën e duhur. Klubi ka qenë i jashtëzakonshëm”, ishin fjalët e lojtarit që kanë lënë të shtangur të gjithë pasi largimi i tij duket se ishte çështje e kryer.
Më pas, mesfushori ka folur i emocionuar për trofeun e dy ndërkombëtar radhazi që ka fituar me klubin e tij, duke e cilësuar këtë një sezon të suksesshëm.
“Kjo ka qenë një periudhë e shkëlqyer për të gjithë ne. Mund të flitet për luhatje të mëdha në dy vitet e fundit, por kjo është një nga momentet më të bukura. Jemi një grup, një skuadër dhe kjo ka qenë një ndeshje e luftuar. Por besoj se e meritonim pas sezonit të gjatë që kemi kaluar”, tha ai duke iu referuar 68 ndeshjeve të luajtura nga Çelsi në këtë sezon. (LajmeShqip.com)
Thursday, 16 May 2013 10:17