Frenk Lampard nuk e ka harruar eliminimin e Çelsit në gjysmëfinalet e vitit 2009 përballë Barcelonës, kur një gjykim skandaloz ndihmoi katalanasit të shkonin në finale.
Lojtari mendon se ekipi i tij, ashtu si shumë skuadra të tjera, kanë ende hesape për të larë me klubin katalanas dhe premton luftë ndaj tyre.
“Të gjithë kanë hesape për të larë me ta. Ato janë skuadra më e madhe në botë aktualisht. Ata janë favoritë, por ne kemi shumë besim në vetvete. Duhet të paraqitemi në maksimum dhe besojmë se mund ta bëjmë një gjë të tillë”.
Por Lampard ka pranuar se Çelsi i shfaqur ndaj Benfikës nuk është në nivelin e duhur dhe se shumë gjëra duhet të ndryshojnë.
“Ishte një ndeshje e vështirë. Fitorja 1-0 jashtë fushës të lë të pasigurt mbi mënyrën se si duhet të përballosh takimin në fushën tënde. Ne i dhamë atyre idenë se mund të vinin dhe të fitonin ndaj nesh. Gjithsesi, jem të lumtur që kemi siguruar përsëri gjysmëfinalet”, ishte komenti i autorit të golit të avantazhit në sfidën e fituar 2-1. (LajmeShqip.com)
Thursday, 05 April 2012 10:27