Tiranë – Mesfushori i kombëtares shqiptare dhe i Hanoverit në Bundesligën gjermane, Altin Lala, është dëmtuar gjatë një seance stërvitore.
Lajmi është bërë i njohur nga mediat gjermane, sipas të cilave, ka qenë pikërisht ky dëmtim ai që e ka lënë mesfushorin shqiptar jashtë ndeshjes së javës së 26-të të Bundesligës kundër Këlnit, ku “të kuqtë” u mundën me rezultatin e thellë 4-0.
Sipas diagnostifikimit paraprak, është mësuar se ai vuan nga një problem muskulor. Por, së shpejti pritet që ai t’i nënshtrohet një kontrolli më të specializuar, në bazë të të cilit do të përcaktohet diagnoza e saktë.
Ky është lajm i keq për kombëtaren e Shqipërisë dhe në veçanti për trajnerin kroat Josip Kuzhe, i cili në prononcimin e fundit për shtyp kishte konfirmuar se Lala ishte i grumbulluar për sfidën eliminatore të Euro 2012 ndaj Bjellorusisë.
Për momentin ende nuk dihet se sa do të jetë koha e qëndrimit të tij larg fushës së futbollit. Kjo ka bërë që të hidhen dyshime edhe në lidhje me grumbullimin e tij në kombëtaren kuqezi, tani kur vetëm 9 ditë na ndajnë nga një prej ndeshjeve më të rëndësishme të eliminatoreve për Euro 2012, ndaj Bjellorusisë.
Friday, 18 March 2011 00:22